Secondary Adv

Inflacioni ngjitet në 3 për qind në maj, transporti dhe qiratë shtyjnë çmimet lart

Inflacioni në Shqipëri arriti në 3 për qind gjatë muajit maj, niveli më i lartë i muajve të fundit, ndërsa rritja e kostove të transportit, qirave dhe shërbimeve po zëvendëson gradualisht ushqimet si burimi kryesor i presioneve mbi çmimet.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, norma vjetore e inflacionit u rrit në 3 për qind në maj 2026, nga 2.2 për qind në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në krahasim me muajin prill, niveli i përgjithshëm i çmimeve shënoi një ulje të lehtë prej 0.04 për qind, duke treguar se lëvizjet mujore kanë mbetur relativisht të qëndrueshme.

 

Të dhënat tregojnë se presionet inflacioniste po mbështeten gjithnjë e më shumë nga sektori i shërbimeve dhe kostot e jetesës, ndërsa ndikimi i ushqimeve është zbutur krahasuar me vitet e fundit.

 

Transporti me rritjen më të fortë të çmimeve

Grupi që regjistroi rritjen më të lartë vjetore ishte transporti, me 7.8 për qind. Pas tij renditen sigurimet dhe shërbimet financiare me 4.9 për qind, ndërsa grupet e qirave, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe karburanteve të tjera, si edhe argëtimi, sporti dhe kultura, shënuan secili rritje prej 4.2 për qind.

 

Megjithatë, ndikimi më i madh në inflacionin total ka ardhur nga kostot e strehimit dhe energjisë. Sipas INSTAT, grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” kontribuoi me 0.84 pikë përqindje në inflacionin vjetor, ndërsa grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” shtoi 0.76 pikë përqindje. Transporti kontribuoi me 0.51 pikë përqindje.

 

Ushqimet mbeten faktor i rëndësishëm

Megjithëse ritmet e rritjes së çmimeve të ushqimeve janë ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me periudhën e krizës inflacioniste, ato vazhdojnë të ndikojnë ndjeshëm në buxhetet familjare për shkak të peshës së lartë që zënë në shpenzimet e konsumatorëve shqiptarë.

 

Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rritën me 2.2 për qind në bazë vjetore. Ndërkohë, pijet alkoolike dhe duhani u shtrenjtuan me 3.4 për qind, ndërsa restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 3 për qind.

 

Veshjet dhe këpucët mbeten grupi i vetëm që regjistroi ulje çmimesh krahasuar me një vit më parë, me një rënie prej 0.5 për qind.

 

Presionet po zhvendosen drejt shërbimeve

Në terma mujorë, inflacioni mbeti pothuajse i pandryshuar. Ulja prej 0.04 për qind e indeksit të përgjithshëm u ndikua kryesisht nga rënia e çmimeve të ushqimeve, transportit dhe veshjeve, ndërsa shërbimet e argëtimit, shëndetësisë dhe sigurimeve vijuan të shtrenjtohen.

 

Të dhënat e majit sugjerojnë se ekonomia shqiptare po hyn në një fazë të re të inflacionit, ku pesha kryesore po zhvendoset nga mallrat drejt shërbimeve. Nëse gjatë viteve 2022-2023 inflacioni dominohej nga energjia dhe ushqimet, aktualisht transporti, strehimi dhe shërbimet po bëhen faktorët kryesorë të rritjes së çmimeve, një zhvillim që zakonisht konsiderohet më i vështirë për t’u frenuar përmes politikës monetare.

 

Rritja e inflacionit në 3 për qind vjen në një moment kur Banka e Shqipërisë ka nisur gradualisht lehtësimin e politikës monetare. Zhvillimet e muajve në vijim do të tregojnë nëse ky nivel përfaqëson një luhatje të përkohshme apo një rikthim më të qëndrueshëm të inflacionit pranë objektivit afatmesëm të bankës qendrore.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat